Ngjarja e sotme në kampin e MEK është një ngjarje e turpshme për atë komunitet që pasi ka gjetur strehë, mbrojtje dhe mikpritje nga populli dhe autoritetet shqiptare, sot kanë reaguar dhunshëm ndaj një kontrolli rutinor të policisë.
Me urdhër të SPAK dhe vendim te Gjykatës se Posatshme, Policia e Shtetit ka kryer një kontroll në kampin në Manëz, pas sinjalizimeve të shumta për aktivitete të dyshimta që kryheshin nga ky kamp. Aktivitete që në fakt cënojne sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Kontrolle të tilla Policia e Shtetit i kryen në çdo cm2 të sipërfaqes se Republikës së Shqipërisë dhe është skandaloze dhe në shkelje të ligjeve shqiptare që komuniteti MEK jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar me policinë, por përkundrazi, ka kundërshtuar kontrollet e organeve ligjzbatuese.
Komuniteti MEK jeton prej thuajse 10 vjetësh në Shqiperi, për arsye humanitare, në bazë të një marrëveshje të bërë me qeverinë shqiptare. Marreveshje e cila nuk është respektuar kurrë nga MEK, të cilët vit pas viti, në shkelje të plotë të kushteve të marrëveshjes, kanë kryer aktivitet politik nga kampi ku jetonin në Shqipëri.
Por së fundmi, të dhënat tregojnë se aktiviteti jashtëligjor i MEK ishte bërë edhe më i rrezikshëm, çka solli vendimin e autoriteteve për të kontrolluar këtë kamp, njësoj si çdo hapësirë tjetër në territorin shqiptar.
Dhuna e sotme e ushtruar nga MEK kundër policisë dhe deklaratat e tyre janë të papranueshme. MEK nuk ndërtojnë dot një shtet brenda shtetit shqiptar dhe për aq kohë sa jetojnë në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin t’i binden ligjeve të kësaj Republike.
Të thuash se aksioni i sotëm i organeve ligjzbatuese i shërben regjimit të Iranit është një deklaratë e ulët. MEK duhet të jenë falenderues ndaj shqiptarëve dhe autoriteteve pasi kanë 10 vjet që jetojne në Shqiperi, ndërkohë që Shqiperia ka qenë viktimë e sulmeve të Iranit dhe ka ndërprerë marrdhëniet diplomatike me regjimin iranian.