Ish-ministri Ylli Manjani thotë se krijimi i kampit të muxhahedinëve në Shqipëri ka shtuar rrezikun për akte terroriste.
I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Manjani e konsideron të gabuar vendimin e qeverive shqiptarë për të pranuar muxhahedinët. Sipas tij, qeveritë shqiptare marrin vendime pa i dhënë llogari askujt.
Ylli Manjani: Diskutimi është ky, ata terroristë që janë kapur qoftë edhe para një viti më parë, a do ishin në Shqipëri nëse ne nuk do të kishim pranuar kampin e Muxhahedinëve? Kjo është pyetja që duhet të shtrojë çdo njeri. Sigurisht që jo. Nuk ka terroristë që i intereson Shqipëria, aq keq jemi katandisur. Shqipëria është rrugë kalimi, askush nuk e ka pasur objektiv Shqipërinë për të ardhur dhe gjetur strehim. Kështu që mesa duket ngjarja e krijimit të kampit të muxhahedinëve ka shtuar rrezikun e akteve terroriste. Ky ka qenë i njohur që në çastin kur janë marrë vendimet. Këtu është problemi, që qeveritë shqiptare marrin vendime pa i dhënë llogari askujt. Edhe këtë kusur shqiptarët nuk ja kishin borxh as kësaj qeveria dhe as asaj që ishte para kësaj. Një qeveri ka rënë dakord për 200 muxhahedinë, kjo tjetra ka rënë për 3 mijë. Kjo është një maskarallëk që i ka ndodhur popullit shqiptar nga qeveria e vet. Kush mban përgjegjësi për këtë? Kjo është pyetja.
Lajmin për shkatërrimin e një celule terroriste, Manjani e konsideron si propagandë.