Një organizatë që lufton për rrëzimin e formës së tanishme të qeverisjes në Iran e quajtur (NCRI-Këshilli Kombëtar i Rezistëncës Iraniane) i ka bërë publikisht thirrje qeverisë shqiptare të dëbojë nga Shqipëria 2 diplomatë iranianë të akredituar në Tiranë. NCRI kërkon nga qeveria shqiptare të dëbojë sekretarin e parë të Ambasadës Iraniane në Tiranë Mostafa Roodaki dhe atasheun kulturor Seyed Ahmad Hossini Alast. Kjo kërkesë bëhet e mbështetur në Rezolutën e BE-së të prillit 1997 për dëbimin e spiunëve iranianë, të akredituar nën petkun e diplomatit.
Për NCRI dy diplomatët janë thjeshtë spiunë të shërbimit sekret iranian të quajtur VAJA. Pavarësisht se NCRI gabon në funksionet, që i atribuon njerit prej personave të lartpërmendur, kjo thirrje është tejet problematike për qeverinë shqiptare vecanërisht ministrant Bushati dhe Xhafa, i cili sipas ligjit shqiptar është autoriteti, që shpall persona non grata një diplomat të huaj të akredituar në Tiranë. Theksojmë se sipas Listës Diplomatike zyrtare të Minsitrisë për Europën dhe Punët e Jashtme sekretar i parë në Ambasadën Iraniane në Tiranë është z. Fereeydon Zandi.
Një thirrje e një organizate të arratisurish iranianë në pamje të parë mund të mos merret seriozisht nga autoritetet shqiptare, por kur kjo organizatë ka “tutorë” me peshë në arenën ndërkombëtare, një thirrje e tillë mund të rezultojë tepër problematike!
Naim Frashëri dhe prof. Rexhep Mejdani
Në datat 5-6 mars në Universitetin Modares u mbajt një simpozium shkencor për veprën e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. Në këtë simpozium krahas autoriteteve shkencore nga Republika e Kosovës, FYROM apo Bosnja mernin pjesë edhe personalitetet të shquara shqiptare si Dr. Prof. Rexhep Mejdani ish President i Republikës së Shqipërisë, Akademike Floresha Dado, Dr. Arian Leka pedagog në Akademinë e Arteve etj. NCRI pretendon se instrumenta të shërbimit seKret Iranian VAJA si Qendra Habilian apo Didenbah e përdorën këtë simpozium për t’u bërë propagandë VIP-ave shqiptarë kundra Muxhahedinëve të organizatës MEK, që janë strehuar në Kampin Ashraf 3 në Manzë afër Durrësit.
Në këtë kontekst mbetet për të parë sesi do reagojnë minsitrat Bushati dhe Xhafa pas kësaj kërkese për dëbim diplomatësh iranianë si edhe ndaj kërkesës së Shoqatës Nejat, që i apeloi autoriteteve shqiptare, që të pajisin me viza dhe t’u mundësojnë familjarëve të Muxhahedinëve MEK të Manzës, që të vinë nga Irani në Shqipëri dhe të takohen me të dashurit e tyre të strehuar në Manzë.
Situata bëhet më problematike edhe për shkak të armiqësisë personale të kryeministrit Rama me ish presidentin Mejdani. Kujtojmë këtu talljen publike, që Rama i bëri Mejdanit, kur e vuri të bëhej “qatip”-skrib i programit te PS-së dhe më pas e hodhi në kosh këtë program bashkë me Mejdanin, apo kur ndër veprimet e para, që ndërmorri drejtoresha e doganave Spiropali, “protégé” e Ramës ishte pushimi nga puna I të birit të ish presidentit Mejdani, apo edhe sulmet tejet të pamoralshme të ndërmarra nga shpura e Ramës kundra bashkëshortes së ish presidentit Mejdani. Mbetet për të parë, sesi dy ministrat e Ramës do ta trajtojnë “pataten” e nxehtë iraniane.
Për të bërë pak humor në shkrimin tonë mund të konfirmojmë pa frikë se ish kryeministri Pandeli Majko do të hajë akullore në Pasticerinë “Gelato Lab” në Qendrën Tregtare “Golestan” në Teheran, pasi muxhahedinët e MEk-ut të clirojnë Iranin dhe të vinë në pushtet, ndërsa ish presidenti Rexhep Mejdani do pijë kafe në Kafenenë “Lamiz” në Sheshin “Tajrish” të Teheranit, pasi qeveria aktuale e Iranit t’i shpartallojë në fushën e mejdanit muxhahedinët e Manzës. Mburren anglezët me humorin e tyre, por gjithsesi humori anglez është tejet inferior krahasuar me humorin e politikanëve të së majtës shqiptare!!!!! /GJERGJ THANASI /CNA.al
https://www.cna.al/2018/03/15/debimi-i-diplomateve-iraniane-patate-e-nxehte-per-ministrin-bushati/