Autoritetet e policisë doganore e të Guardia di Finanza italiane kanë sekuestruar 3 flakone të vaksinës Astrazeneca që po tranportoheshin ilegalisht nga Italia drejt Shqipërisë. 3 flakone të Astrazeneca që janë baraz me 18 doza vaksinë, u gjetën në një çantë frigoriferi në zotërim të dy shoferëve me dokumente gjermane, por me origjinë iraniane, që po udhëtonin me tragetin e linjës nga porti i Barit drejt Shqipërisë.
Shoferët iranianë janë Abdolrahim Orangui Asl e Ghassen Farhadi 69 e 73 vjeç, të cilët po udhëtonin me një makinë të tipit “Volvo” në tragetin “Aurelia” me destinacion Durrësin, shkruan ORA. Flakonet janë të serisë ABW4330 me skadencë në korrik 2021.
Ndaj kësaj ngjarje ka nisur një proces hetimor. Sipas prokurores Luisiana Divittorio po punohet të zbardhet se çfarë ka ndodhur.
-Kush ishin porositësit e vaksinës?
-Kush mundësoi marrjen e tyre?
-Pse po mbërrinin në Shqipëri transportuar nga shtetas me origjinë iraniane?
Këto pyetje priten të marrin përgjigje nga hetuesit italianë. Numri i serisë që përmban çdo flakon do të ndihmojë të gjendet prejardhja e tyre. Dy shoferët janë denoncuar për grabitje e trafik të paligjshëm e po hetohen në gjëndje të lirë. Ndërsa tre flakonat e vaksinës Astrazeneca janë sekuestruar.
[ notë — Abdolrahim Orangi Asl është një mbështetës veteran i MEK. ]