Prindërit e muxhahedines: Vajza po mbahet me forcë në kamp, pasi di shumë sekrete të MEK, ndihmë të lirohet

Sipas tyre, komanda muxhahedine ka frikë ta lërë vajzën të lirë, pasi ajo di ‘shumë sekrete të përdhunimeve dhe krimeve që organizata ish-terroriste MEK ka bërë kundër anëtarëve të saj’.

TIRANE-Pas intervistës që Somaieh Mohammadi, anëtare e rezistencës iraniane MEK e vendosur në Shqipëri dha për kreun e shoqatës së Miqësisë shqiptaro-muxhahedine, Namik Kopliku dhe që u publikua në Report Tv, prindërit e vajzës kanë reaguar sërish duke i kërkuar këtij të fundit ndihmë që të ndërhyjë dhe të lirojë vajzën. Ata shprehen në letër, që MEK i mban anëtarët e saj si skllevër, ndërsa vajza e tyre e ka dhënë intervistën në kushtet e presionit dhe kërcënimeve. Sipas tyre, komanda muxhahedine ka frikë ta lërë vajzën të lirë, pasi ajo di ‘shumë sekrete të përdhunimeve dhe krimeve që organizata ish-terroriste MEK ka bërë kundër anëtarëve të saj’.

‘Ju lutemi, kërkojini gestapos muxhahedine që të na e lërë vajzën tonë të lirë. Ne vajzën tonë duam ta nxjerrim nga kampi xhihadist i Manzës ku muxhahedinët aty jetojnë si skllevër modern, apo të burgosur, që rrinë e presin momentin kur Marjam Rajavi tu japi urdhër që të marshojnë dhe bëjnë xhihad në Iran. Për këtë arsye, ne u kërkojmë në mënyrë publike që të përdorni aksesin që ju keni në organizatën ish-terroriste muxhahedine, dhe të na ndihmoni që të takojmë vajzën tonë’ thuhet ndër të tjera në letër.

Në intervistën e publikuar nga Report Tv, 38 vjeçarja sqaron historinë e saj 15 vjeçare dhe shprehet se pranë MEK ajo qëndron me dëshirë dhe askush se pengon të largohet nëse ajo do të vendos një ditë. Babai i 38-vjeçares i është drejtuar institucioneve shqiptare duke denoncuar rrëmbimin e vajzës së tij nga MEK, ndërsa e bija shprehet se babai i saj gënjen.

Somaye Mohammadi

LETRA E PLOTE

  1. Namik Kopliku, na e lironi vajzën tonë nga organizata MEK
  2. Z. Namik Kopliku, sot ne prindërit e Somejes pamë intervistën tuaj në gazetën Shqiptarja ku ju nxorrët videon e datës 3 gusht që ju bëtë në kampin moxhahedin të Manzës me vajzën tonë. Videoja e transmetuar nga Shqiptarja jep disa fragmente të intervistës që ju dhe gruaja juaj, në prezencë të 3 komandantëve moxhahedinë i keni bërë vajzës sonë. Intervista me vajzën tonë ka ardhur pas disa ditësh kërcënimesh dhe trushpëlarje që komanda moxhahedine i ka bërë vajzës sonë, së cilës i kërkoi që të dalë para jush dhe të thotë që nuk do të takohet me prindërit e saj, pasi komanda moxhahedine i thotë që ne familja e saj jemi armiq dhe agjentë të Iranit.

Në intervistën tuaj në Report TV ju mbroni grupin totalitarist të moxhahedinëve të cilët i trajtoni si demokratë. Unë si një ish-moxhahedin deklaroj që moxhahedinët janë një grup totalitarist, kult-stalinist i cili nuk pranon demokraci, nuk lejon zgjedhje demokratike, mban të izoluar anëtarët e tij, i radikalizon me idenë e çmendur sikur Marjam Rajavi është një njeri i shenjtë e cila një ditë do të çliroj Iranin, duke vrarë hoxhallarët, shkatërruar xhamitë dhe ndërtuar një regjim utopik Stalinist me Marjam Rajavin si udhëheqëse supreme. Ky grup që ndodhet prej 3 vitesh në Shqipëri, jeton ende në gjendje lufte. Ai nuk pranon asnjë program deradikalizimi nga qeveria shqiptare apo struktura të tjera, dhe këta refugjatë nuk pranojnë të integrohen në shoqërinë shqiptare dhe zbatojnë ligjet e Shqipërisë.

Shumë dezertorë që kanë braktisur organizatën moxhahedine dhe jetojnë në Tiranë, tregojnë dhe dëshmojnë sesi në kampin e MEK-ut, komanda ushtaraka i mban anëtarët e saj si skllevër. U ka konfiskuar dokumentet, pasaportat dhe nuk i pajis me dokumente udhëtimi, fakt i cili e klasifikon këtë organizatë si një organizatë që praktikon skllavëri moderne. MEK-u nuk i lejon anëtarët e tij të shohin televizor, të kenë telefona, të hyjnë në internet, të flasin me familjet e tyre, të martohen, të bëjnë seks, të bëjnë fëmi, të flasin me miq dhe shokë, dhe të jetojnë një jetë të lirë dhe civile. Moxhahedinët, term i cili në njëjës në gjuhën arabe është xhihadist, indoktrinohen që të luftojnë dhe vdesin në luftë kundër Iranit, për të vendosur Massoud dhe Marjam Rajavin si diktator suprem të Iranit. MEK-u është një organizatë me të kaluar terroriste, që ka vrarë shumë qytetarë në Iran dhe Irak. MEK-u nuk beson në demokraci, por në vendosjen e një rendi totalitarist sipas versionit të Pol Potit apo Khmer Ruxhit në Kamboxhia.

Sikur edhe ju pranoni në intervistën tuaj, MEK-u në kampin paramilitar të Manzës i indoktrinon ushtarët e tij me idenë për të bërë xhihad kundër Iranit. Këto fakte të cilat shkojnë kundër ligjeve shqiptare, dhe neneve 231 dhe 265 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, klasifikohen si akte, thirrje dhe nxitje për terrorizëm, të cilat janë të dënueshme në Shqipëri. E gjithë veprimtaria e kësaj organizate me ligje ushtarake dhe rregulla totalitare që është në kundërshtim me ligjet shqiptare e bën këtë organizatë anti-kushtetuese dhe të dënueshme sipas ligjeve shqiptare dhe konventave ndërkombëtare që Shqipëria është palë. Por sikur edhe ju pranoni në intervistën tuaj, MEK-u sot, sikur Al-Qaeda dhe Talebanët më herët, mbështeten nga pushtetarë amerikanë dhe për këtë arsye ata nuk persekutohen sipas ligjit.

  1. Z. Kopliku,

Dëshmimtarë moxhahedinë brenda kampit të Manzës më kanë treguar që intervista e vajzës sime me ju, është bërë nën presion nga komanda moxhahedine, e cila nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që vajza ime të dali nga kampi dhe takohet me ne, prindërit e saj. Komanda moxhahedine ka frikë se nëse vajza jonë takohet me ne, dhe lejohet të dalë nga kampi ku ajo mbahet peng, ajo do të braktisë xhihadin dhe do bashkohet me familjen e saj në Kanada. Shoqe të Somejes të cilat kanë braktisur MEK-un dhe tani janë trafikuar në Gjermani, Greqi dhe SHBA na tregojnë që Someja është e dëshpëruar dhe do të bashkohet me familjen e saj. Por komanda moxhahedine e tremb, i thotë që nëse del jashtë do ta vrasin agjentët e Iranit, dhe se unë babai i saj jam agjent i Ministrisë së Inteligjencës Iraniane dhe do e çoj si skllave për mullahët e Teheranit. Komanda moxhahedine ka frikë ta lërë vajzën tonë të lirë, pasi Someja di shumë sekrete të përdhunimeve dhe krimeve që organizata ish-terroriste MEK ka bërë kundër anëtarëve të saj.

Për këtë arsye MEK-u pa fakte shpif dhe akuzon publikisht mua dhe familjen time dhe mbështetësit e mi, që edhe sikur akuzat e tyre të ishin të vërteta, këto nuk na heqin ne të drejtën e prindërimit. MEK-u ka nisur një fushatë demonizuese kundër meje, gazetarëve shqiptarë dhe të huaj, avokatëve dhe analistëve të ndryshëm që më mbështesin mua. Ju besoj keni parë edhe vetë sesi xhihadisti Humayun Deyhim dhe shtatë moxhahedinë të tjerë më rrahën mua në Tiranë në datë 27 korrik 2018 dhe më pas, sesi 50 moxhahedinë nën udhëheqjen e komandantëve Behzad Saffari, Jila Deyhim dhe Ahmad Taba rrethuan stacionin e policisë nr. 4 në Tiranë duke i bërë presion policisë dhe avokatëve tanë, për të liruar rrahësit xhihadistë. Komandantët moxhahedinë dhunuan gazetarë të Kanalit 4 britanik dhe ofenduan gazetarët e The Guardian kur ata shkuan në Kampin e Manzës që të gjejnë vajzën time, Somejen.

Sikur mund të shikoni nga aktet e tyre, moxhahedinët nuk kuptojnë dhe nuk pranojnë dot lirinë e medias, lirinë e individit, demokracinë, fjalën e lirë dhe rregullaj e lojës demokratike. Ata thonë o me ne, o me Iranin. Ose do bësh xhihad me ne, ose je me mullahët e Teheranit. Ata nuk pranojnë një botë të lirë dhe pa luftë.

Megjithatë, ne prindërit e Somejes që jemi në Tiranë, dhe këto javë jemi përballur me shpifje si agjentë iranianë, rrahje nga moxhahedinët, kërcënime të lloj llojtat kërkojmë nga ju që të na bëni një nder. Ju lutemi, kërkojini gestapos moxhahedine që të na e lërë vajzën tonë të lirë. Ne vajzën tonë duam ta nxjerrim nga kampi xhihadist i Manzës ku moxhahedinët aty jetojnë si skllevër modern, apo të burgosur, që rrinë e presin momentin kur Marjam Rajavi tu japi urdhër që të marshojnë dhe bëjnë xhihad në Iran.

Ne nuk duam që vajza jonë të shkoj në xhihad në Iran dhe të sakrifikohet për Marjam Rajavin e cila do të përmbysi me dhunë qeverinë iraniane, pasi ne besojmë në demokraci, paqe dhe nuk pranojmë luftën, dhunën dhe xhihadin. Marrja pjesë në konflikte xhihadiste është krim si në Shqipëri ashtu edhe në Kanada. Ne nuk duam që vajza jonë të përfshihet në organizata terroriste, por duam që ajo të jetë një qytetare që i bindet ligjit. Ne duam që vajza jonë, të lihet e lirë nga burgu ku ajo mbahet nga moxhahedinët. Fillimisht duam që ajo të dali në Tiranë dhe të takohet me ne, pa prezencën dhe kërcënimet e komandës xhihadiste. Më pas, nëse ajo do, ne duam që ajo të jetojë e lirë në Shqipëri, të martohet, krijoj familje, punoj, braktisi aktivitetet xhihadiste dhe jetojë si një qytetare e lirë. Por nëse ajo do që ti bashkohet familjes sonë në Kanada, ne do ta marrim atë me qejf në vendin tonë. Por ne duam ta këshillojmë vajzën tonë që të largohet sa më parë nga organizata ish-terroriste moxhahedine dhe nga kampi ushtarak ku ajo mbahet peng prej 21 vitesh.

Ne nuk do e ndalojmë vajzën tonë në asnjë moment nga aktivitet e saj politike. Nëse ajo mendon me vullnet të lirë që MEK-u duhet mbështetur, ne nuk do ta ndalojmë. Por çfarë ne duam është që ju, ti komunikoni komandës moxhahedine që të na lejoj të takojmë vajzën tonë. Ashtu sikur ju nuk do pranonit kurrë që MEK-u tu rrëmbente vajzën, dhe tu përdhunonte djalin, ju duhet të kuptoni që këtë duam edhe ne.

Për këtë arsye, ne u kërkojmë në mënyrë publike që të përdorni aksesin që ju keni në organizatën ish-terroriste moxhahedine, dhe të na ndihmoni që të takojmë vajzën tonë. Vajza jonë nuk ka nevojë për strehim humanitar në Shqipëri, pasi atdheu i familjes së saj, Kanadaja është vend i sigurtë origjine. Prandaj ajo nuk ka asnjë arsye të rrijë e mbyllur në burgun moxhahedin të Manzës dhe të presi ditën kur Marjam Rajavi të nisë xhihadin e saj kundër Iranit.

Na ndihmoni ju lutem.

Prindërit e Somejes

Mostafa Mohammadi dhe Mahbube Hamza

d.ba./b.ha.

shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button