“I fejuari im, Hassan Heyran, shtetas Iranian, prej 18 ditësh është në grevë urie pasi është mbyllur padrejtësisht në Qendrën e Mbyllur për të Huaj Karreç, në Durrës”.
Ky është pretendimi i Margarita Ballço, e cila është ankuar në emisionin “Xhadat”.
Në datën 8 nëntor të vitit 2022, Hassan Heyran, 43 vjeç u burgos në Qendrën e Mbyllur për të Huaj Karreç, në Durrës. I thirrur nga Drejtoria e Policisë së Emigracionit në Laprakë, ai u paraqit së bashku me disa miq të tij, pjesëtarë të shoqërisë “ASILA” në Shqipëri, për të rinovuar lejen e qendrimit, por nga aty u dërguan në Karreç , ku prej disa ditësh ndodhet në grevë urie.
“Hasani ka ardhur në Shqipëri në vitin 2016 dhe u largua nga kampi i Manzës në 2018, sepse donte një jetë të lirë, donte të krijonte një familje. Vitin e kaluar e thirrën në Drejtorinë e Policisë së Emigracionit në Laprakë për të bërë rinovim të lejes së qëndrimit dhe atje i kishin thënë se duhet të shkonin në qendrën e mbylljes në Karreç, për arsye të sigurisë kombëtare. Hasani ka 2 muaj në qendrën e mbylljes dhe nuk di asgjë pse është brenda. Ai ka shoqatën e vetë “Asila” dhe një lokal. Unë i jam drejtuar Ministrisë së Brendshme, Kryeministrit me letra, Presidentit, Drejtorisë së Policisë së Emigracionit, edhe më kanë dhënë një përgjigje të paqartë, që është brenda për siguri kombëtare. Janë burgosur edhe 5 shokë të tij. Unë dyshoj se këtë e ka bërë Marjam Raxhavi, më e madhja e muxhahedinëve, sepse Hassani ka treguar të palarat që bëheshin te MEK-u, çfarë ka ndodhur në të vërtetë”- tha Margarita.
Kujtojmë se prej disa vitesh Shqipëria është kthyer në një nga vendstrehimet e anëtarëve të organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit , ndryshe (MEK) e cila deri para pak kohësh konsiderohej si organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.
Në muajin gusht në panairin e librit të organizuar në Durrës pati dhe një përplasje mes muxhahedinëve që jetojnë brenda kampit të Manzës dhe atyre të larguar prej tij, përfaqësues të shoqatës “ASILA”. Një prej tyre ishte edhe shtetasi Hassan Heyran.
Emri i Hassan Heyrani- në faqen MEK Iran.com rezulton në mesin e emrave të Agjentëve të Inteligjencës së regjimit iranian, në Shqipëri.
Nga data 8 nëntor 2022 ai ndodhet në qendrën e mbyllur për të huajt Karreç, Durrës.
“Ai do të dijë pse është brenda dhe është dita e 17 e grevës së urisë, që ai po pret një përgjigje të saktë nga qeveria jonë. Nëse ka bërë diçka, pse nuk e çojnë në gjykatë dhe ta dënojnë? Në korrik të viti të kaluar Hassanit dhe 10 shokëve të tij u janë kontrolluar banesat nga SPAK dhe asgjë nuk kanë gjetur brenda”.
Përpara se të hynte në grevë urie, në një komunikim nga qendra e Karreçit, Hasani ka treguar për kushtet e vështira në të cilat ndodhet.
“Jemi këtu pa asnjë shpjegim. Askush nuk na përgjigjet, është shumë ftohtë, pa ngrohëse. Fle me pallto dhe me kapuç. Oficeri na tha se nuk i kishin pëlqyer intervistat që ne kemi dhënë te BBC dhe te disa media të tjera, ku kemi folur për muxhahedinët. Sinqerisht ne jemi të frikësuar, sepse këtu është si burg. Më shumë se 40 ditë, ne nuk mund të dilnim për të marrë ajër të pastër. Thjesht jemi në një dhomë, ku të gjitha dyert janë të mbyllura. Çdo javë, ose një herë në dy javë një grup policësh vijnë dhe marrin një person, e fusin në makinë dhe menjëherë e çojnë në Greqi. I thashë atyre, nëse kemi ndonjë problem, nëse kemi thyer ndonjë ligj të Shqipërisë, lutemi të shkojmë në gjyq, përpara gjyqtarëve. ”- u shpreh ai.