Organizata Muxhahedinët Popullorë të Iranit MEK u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit.
MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike.
Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini. MEK, bashkëpunoi ngushtë me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj. Pas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve.
Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2013 me një ndërmjetësim të amerikanëve dhe OKB-së u vendos që ata të zhvendoseshin në një vend tjetër, që ishte Shqipëria. Në total në Shqipëri deri më sot kanë ardhur rreth 3000 muxhahedinë të zhvendosur prej Irakut, ku 73 % e tyre janë meshkuj dhe 27% janë femra.
Qëndrimi i tyre në vendim tonë sipas marrëveshjes së vitit 2013 është vetëm për qëllime humanitare.
Ndërsa, sot në vitin 2023 situata ka ndryshuar dhe autoritetet ligjzbatuese shqiptare po e hetojnë këtë organizatë për veprime të paligjshme dhe në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar për strehimin e tyre në Shqipëri
Më 20 qershor, qindra efektivë Policie, forca RENEA dhe njësia e anti-terrorit kryen kontrolle të imtësishme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.
Operacioni i Policisë së Shtetit ishte në zbatim të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK që kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. SPAK kishte regjistruar procedimin penal më 15 maj të vitit 2023 për disa vepra penale si “Provokim i luftës”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”. “Keqpërdorimi i pajisjeve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Igli Çelmeta – BalkanWeb