Më lini të takoj vajzën time

Një ditë pasi 38 vjeçarja Somayeh Mohammad, anëtare e grupit MEK që kundërshton të ashtuquajturin regjim iranian dhe akuzoi publikisht të atin se është spiun i Teheranit, ka reaguar ky i fundit. Përmes një një letre dërguar redaksisë së Balkanweb, Mostafa Mohammady deklaron se vajza e tij mbahet peng nga drejtuesit e grupit MEK në Tiranë. Ai e drejton gishtin te një prej anëtarëve te grupit MEK në Tiranë i cili quhet Farid Toutonchi. Ndër të tjera ai shkruan:

“Po të drejtojem me emrin që je regjistruar në Shqipëri, pasi emri yt origjinal është Farid Mahoutchi. Në Shqipëri ju njiheni si një nga krye drejtuesit e zyrës së propagandës së Muxhahedinëve, ndërsa në Irak keni qenë komandanti i divizionit 4 të tankeve, i njohur përndryshe si divizioni Karun detyrë e të cilit ishin luftimet kundër Iranit, arabëve dhe kurdëve rebelë kundër regjimit të Sadam Huseinit. Në Irak ju jeni i kërkuar për krime kundër njerëzimit, por në Shqipëri me emrin dhe identitetin e ri që keni marrë, shfaqeni si njeri i medias.

Nëpërmjet kësaj letre në duam të të falenderojmë për shfaqjen që ju i bëtë vajzës sonë Somayehs dje në median News 24. Duam të të falenderojmë që më në fund nuk përdorët më z. Namik Kopliku dhe as avokaten Margarita Kola për të nxjerr vajzën tonë para mediave. Fatmirësisht tani që çështja e pengmarrjes së Somayehs po bëhet ndërkombëtare, më në fund ju vendosët që të hiqni maskën dhe të dilni vetë para televizionit.

LETRA

Komandant Farid Toutonchi

Në deklaratën e fundit që organizata juaj ka bërë kundër Channel 4 britanik, ndër të tjera ju sulmoni edhe qeverinë e Britanisë së Madhe. Sulmoni Ministrin e Zyrës së Jashtme Britanike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, z. Alistair Burt, sikur sulmoni edhe shumë gazetarë, avokatë dhe persona të tjerë që kanë interes në çështjen e Somayehs. Me marrëzitë që vetëm ju dini të sajoni, ju implikoni qeverinë britanike me qeverinë e Iranit në një konspiraci kundër sektit tuaj terrorist. Pasi keni rrahur dhe kërcënuar gazetarë e avokatë, pasi keni klithur që qeveria shqiptare t’u mbroj nga “terroristët” e Iranit, pasi keni bindur qeverinë shqiptare që të mbylli kufijtë për familjet iraniane që duan të takojnë dhe shpëtojnë fëmitë e tyre nga xhihadi juaj, pasi keni paguar shqiptarë që të shpërndajnë traktet dhe mashtrimet tuaja nëpër media, më në fund ju keni dalë vetë para televizionit. Kjo është një arritje e madhe.

Në deklaratën për media që vajza jonë Somayeh lexoi në prezencën tënde, ajo përsëriti akuzat dhe shpifjet që ju thoni kundër familjes sonë prej disa vitesh. Vajza jonë e trembur dhe radikalizuar na akuzoi si agjentë iranianë, si të dërguar në Shqipëri nga Irani dhe idiotësi që vetëm mendja terroriste dhe e sëmurë e Maryam Rajavit di të krijojë. Këtë paradë turpi ju bëtë me vajzën tonë të cilën ju e mbani peng prej 21 vitesh. Vajzën tonë ju e larguat nga Kanadaja, e latë pa familje, pa burrë dhe fëmijë, pa shkollë dhe pa të ardhme, dhe e mbani si terroriste rezervë për Marjam Rajavin dhe luftën që ajo do të bëj kundër Iranit.

Komandant Farid Mahoutchi, në shfaqjen para mediave të vajzës sonë të radikalizuar, trushpëlarë dhe të trembur, para mediave që kanë pranuar të luajnë lojën tuaj dhe të mos bëjnë pyetjet që duhen bërë, ju vërtetuat edhe njëherë që vajza jonë mbahet peng nga organizata juaj ish-terroriste. Sikur kanë dëshmuar edhe ekspertë të organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe mediat kanadeze, në organizatën tuaj ka disa qindra persona sikur Somayeh, të cilët mbahen peng. Këta persona të cilët ju i trushpëlani dhe u thoni që prindërit i kanë armiq dhe agjentë të Iranit që duhen vrarë, jetojnë në izolim total. Ata nuk lejohen të komunikojnë me familjet e tyre, dhe trushpëlahen me idetë radikale të xhihadit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Leximi i tekstit të shkruar nga komanda muxhahedine nga vajza jonë, i cili u bë nën mbikqyrjen tuaj, e bëri situatën shumë të frikshme. Konfesioni i vajzës sonë që ne prindërit e saj jemi agjentë të Iranit dhe për këtë ajo nuk do të flasë me ne, i ngjan konfesimeve që pengjet e ISIS-it bënin para kamerave në prezencë të komandantëve xhihadistë që vrisnin dhe ekzekutonin pengje. Këtë gjë bëtë edhe ju z. Mahoutchi / Toutonchi. Në Siri pati shumë njerëz të radikalizuar nga ISIS-i që vranë prindërit e tyre. Këtë gjë synoni edhe ju z. Mahoutchi / Toutonchi. Ju keni radikalizuar, armiqësuar vajzën tonë me ne familjen e saj dhe e keni bërë atë të na shohi si armiq. Ju keni larguar vajzën tonë nga qytetërimi dhe demokracia kanadeze dhe e mbani si ushtarake në kampin tuaj xhihadist të Manzës në pritje për të bërë xhihad me Iranin. Me idetë tuaja radikale dhe ekstremiste të dhunshme, ju e keni kthyer vajzën tonë në një robot të kontrolluar dhe frikësuar, e cila nuk guxon të dojë nënën dhe babën e saj, e cila refuzon Kanadanë dhe demokracinë dhe pranon të jetojë si një kamikaze në duart e Maryam Rajavisë për të bërë luftë dhe xhihad kundër Iranit.

Komandant Farid Mahoutchi, Duke qenë se ju jeni pengmarrësi kryesor i vajzës sonë dhe sëbashku me komandantin e frikshëm dhe torturuesin Behzad Saffari, jeni dy personat kyç që kontrolloni vajzën tonë në Shqipëri, që kërcënoni dhe dhunoni gazetarët, dhe që më rrahët edhe mua në Tiranë para disa javësh, unë po u kërkoj burrërisht një favor.

A ka mundësi që ta nxirrni vajzën tonë vetëm për një orë që të takohet me mamanë e saj, Mahbubenë që është në Tiranë, meqë unë sipas jush jam agjent i Iranit dhe për këtë duhet të vritem nga MEK-u? E gjithë sherrnaja që ju po krijoni duke sulmuar dhe kërcënuar gazetarët shqiptarë, avokatët, duke më rrahur mua dhe bërë agjent të Iranit, duke shpikur agjentë dhe armiqësuar Shqipërinë me Iranin, duke akuzuar qeverinë britanike se po bën konspiraci me Iranin kundër jush, duke shantazhuar opinionin publik shqiptar sikur Irani do u vrasë etj, mund të zgjidhet shumë thjeshtë.

Nxirreni Somayen në publik. Lëreni Somayen që të takohet për një orë, vetëm për vetëm me mamanë e saj pa prezencën tënde dhe të xhihadistëve të tjerë që e rrethojnë. Besojini Somayes që të jetojë një orë pa prezencën e komandanteve tuaja xhihadiste, që edhe ajo, sikur të gjithë fëmitë e tjerë të botës, të ketë mundësi të takoj prindërit e saj. Ne nuk do e hamë Somayen. Ne nuk do e çojmë Somayen në Iran. Ne nuk do ta bëjmë agjente kundër MEK-ut. Ne thjeshtë do i apelojmë vajzës sonë që të braktisë xhihadin dhe terrorizmin dhe të vijë me ne në Kanada. Ne e dimë që kjo do të thotë për ju një kamikaze me pak, por ju duhet ta lejoni këtë gjë nëse doni që bota demokratike t’u respektojë dhe t’u shohë si opozitë demokratike dhe jo si pengmarrës xhihadistë.

Bëni dot kaq pak Komandant Farid Mahoutchi? Ne e dimë që vajzën tonë që na e rrëmbyet të mitur nga Torontoja ju e mbani si kamikaze të fjetur për xhihadin e tmerrshëm që ju ëndërroni të bëni kundër Iranit një ditë. Ju si komandant tankesh që jeni, i keni duart e përlyera me gjak dhe Somayen e shikoni si një kamikaze më shumë për luftën që ju ëndërroni të bëni një ditë.

Por ne si prindër që jemi në Shqipëri që nga data 5 korrik 2018, që po shkojmë gjyqeve e policive për ju, që po na rrihni e po na shani, që po na bëni agjentë dhe terroristë, duam vetëm një gjë: të takojmë vajzën tonë.

Komandant Farid Mahoutchi, Ju duhet ta dini që ndërsa shteti shqiptar po u toleron që të mbani të izoluar dhe radikalizuar me qindra pengje në kampin tuaj të Manzës, që të rrihni dhe kërcënoni gazetarë dhe avokatë, të shani e shpifni kundër qeverive të huaja etj, komuniteti ndërkombëtar herët apo vonë do u dënoj për këto që po bëni. Somayeh është një uragan që do u dëmtoj shumë rëndë në sytë e botës. Ju nuk mund të mbani dot pengje në Evropë. Shqipëria nuk është Iraku i Sadam Huseinit dhe ju këtu nuk silleni dot si tankistë dhe xhihadistë. Kërcënimet që ju dhe komandant Behzad Saffari dhe të tjerë po i bëni gazetarëve shqiptarë dhe të huaj, nuk do harrohen kollaj. Evropa nuk intimidohet dot nga terrorizmi dhe kërcënimet tuaja, dhe nuk pranon në asnjë mënyrë pengmarrjen dhe xhihadin.

Ne prindërit e Somayehs që ju i keni rrëmbyer vajzën prej 21 vitesh, kemi vetëm një kërkesë. Na lini ta takojmë vajzën tonë! Nëse kuptoni minimumin e qytetërimit dhe demokracisë ju duhet ta bëni këtë! Mos u sillni si xhihadistë dhe kriminelë!

Mostafa Mohammady dhe Mahbube Hamza

Exit mobile version