Spiegel”: Çfarë ndodh realisht në kampin e muxhahedinëve në Manzë? Dhe kush financon për të?

Media gjermane “Spiegel” në një shkrim të saj thotë se në Shqipëri, në kampin e muxhahedinëve në Manëz, pranë Tiranës, zhvillohen stërvitje intensive për operacione subversive.

Duke ju referuar medias në fjalë edhe “Tehran Times” shkruante dje për muxhahedinët iranianë të MEK-ut të vendosur në Shqipëri. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), zhvillon stërvitje intensive ushtarake brenda kampit e saj në Manëz, pranë Tiranës.

“Anëtarët e MEK në kamp praktikohen për prerjen e fytit me thikë, heqjen e syve me dorë”, citon media në fjalë revistën gjermane.

I njëjti burim i referohet dëshmive të ish-anëtarëve të arratisur nga kampi që flasin për tortura dhe trauma psikologjike. Revista shkruan se kampi ku mbahen 2000 anëtarë të MEK është me sipërfaqe sa 50 fusha futbolli dhe personave të mbajtur aty nuk u lejohet të kenë mjete personale elektronike, ndërkohë që ata janë aktivë në postimin e lajmeve të rreme për Iranin në tuiter, Facebook, kurse të tjerë përpiqen të listojnë anëtarë të rinjë në shërbimin Telegram.

“Der Spiegel” shkruan se arsyeja pse Shqipëria mbështet këtë grup është e paqartë dhe Ministria e Brendshme ka refuzuar që të japë përgjigje për këtë çështje.

Një nga pyetjet që deri më sot nuk është shtruar në diskutimin publik në Shqipëri është se kush paguan për strehimin e muxhahedinëve dhe më tej akoma: a zhvillohen brenda kampit aktivitete stërvitore? Në një material video të postuar në maj të vitit 2018 ofrohen pamje ajrore të kampit që është me të vërtetë masiv dhe me planvendosje të objekteve sipas stilit ushtarak.

Në të njëjtin material thuhet se ka dyshime se paratë për mbajtjen e kampit dhe gjithçka tjetër vijnë nga vendet arabe që synojnë qartë rrëzimin e regjimit iranian, i cili vetë i lufton muxhahehdinët.

Politikisht Tirana zyrtare ka fituar përkrahjen e SHBA-së për steprehimin e tyre, ndërkohë që pasojat nuk është shumë e vështirë të lexohen. Pak javë më parë kryeministri Rama vizitoi Arabinë Saudite ku u prit nga mbreti Salman dhe duhet thënë se Riadi është në konflit të hapur me Teheranin në Jemen dhe në Liban. Sauditët humbën betejën në Siri ku fitoi njeriu i iranianëve, Bashar al Assad dhe në këtë kontekst të përplasjes rajonale duhet vlerësuar edhe strehimi i muxhahedinëve.

A financon Arabia Saudite kampin? Ja një pyetje e vështirë por që krijon shumë dyshime për llojin e politikës së jashtme të Shqipërisë. Është po ashtu interesant fakti se një media gjermane – gjithnjë nëse “Tehran Times” nuk gënjen – si Spiegel kërkon të hulumtojë mbi kampin. Gjermani dhe BE-ja në përgjithësi janë në kurs përplasjeje me ShBA-të për sanksionet pas tërheqjes së Trump nga marrëveshja bërthamore me Teheranin, nënshkruar nga administrata e Barack Obamës.

Po e njëjta situatë paradoksale zhvillohet në marrëdhëniet me Turqinë. Në ikje e sipër, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati bëri të ditur se Ankaraja zyrtare ka hezituar të nënshkruajë Traktatin e Partneritetit Strategjik me vendin tonë, pavarësisht se Edi Rama luan përherë si protagonist i miqësisë me Recep Tayyip Erdogan. Ajo që bie në sy është se përtej fjalëve dhe teatrit, Turqia nuk ka hedhur ndonjë hap konkret në Shqipëri me investime serioze. Dje z. Rama ishte në Vlorë por ai harroi të përmendë aeroportin e Akernisë, ku u tha se do të vepronin kompani turke. Është e qartë se kodoshi i Tiranës mund të ketë fituar miqësinë e Erdogan, por jo besimin e tij, përderida nuk ka një përgjigje të qartë për çështjen e gulenistëve të cilët Turqia i kërkon prej kohësh.

Dyshimet për këtë qëndrojnë pavarësisht se z. Rama ka ditur të lëshojë si p.sh në rastin e Rezolutës për Jeruzalemin. Z. Rama drejton një qeveri që mban kështu dy patate të nxehta në sqetull me pasoja të palexueshme dhe që kanë vetëm një përfitim teorik: mbështetjen e ShBA për stabilitetin në vendin tonë. Këtë mbështetje duket se kryeministri nuk do ta humbasë dhe po shpreh edhe me qëndrimet për çështjen e Kosovës, krejt ndryshe nga ish-ministri i tij i Jashtëm, i cili asociohet si njeri i gjermanëve në Tiranë, apo më afër tyre e që dy vite më parë ishte në Teheran, ku takoi presidentin Hasan Rouhani.

Sa i përket kampit të Manzës, problemet dhe çështjet që shtrojnë mediat e huaja mundet që një ditë të kërkojnë trajtim juridik në një vend që ka Kushtetutë dhe ligje dhe detyrime ndërkombëtare të qarta.

Exit mobile version