Fiks Fare sjell sot problemin e 200 anëtarëve të larguar nga Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit, tre mijë anëtarë të së cilës u transferuan nga kampi “Liria” në Bagdad.
Këta muxhahedinë të zhgënjyer nga organizata e tyre janë larguar nga kampi dhe jetojnë pa asnjë ndihmë ekonomike apo përkrahje sociale. Pa statusin e emigrantit, pa asnjë dokument identifikues, pa të ardhura, ata nuk mund të kthehen as në vendin e tyre dhe as më në kamp
Me dëshminë e tyre për Fiks Fare, ata hedhin dritë mbi atë që ndodh realisht në kampin e muxhahedinëve, i cili po ndërtohet në Manzë të Durrësit me një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit
Shqipëria ka strehuar rreth 3000 muxhahedinë iranianë në Shqipëri që nga marsi i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2016, kur mbërritën 280 të fundit nga kampi “Liria” në Irak.
Në shtator të vitit 2014, Kryeministri Rama u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry, në samitin e Uellsit të NATO-s, dhe diskutuan për strehimin e muxhahedinëve të tjerë. Në prill të vitit 2015, kjo çështje u ridiskutua përsëri në Uashington mes Ministrit Bushati dhe Sekretarit Kerry.
Në fillim të vitit 2016, Kryeministri Rama pranoi të strehojë të gjithë 1970 muxhahedinët e mbetur ende në Bagdad. Kjo marrëveshje u përfundua gjatë vizitës së Sekretari të Shtetit John Kerry në Shqipëri në shkurt 2016. Më 10 shtator 2016, OKB tha se ka përfunduar zhvendosja e muxhahedinëve nga Iraku drejt Shqipërisë. Në atë kohë, senatori amerikan John Mçain, përshëndeti përfundimin e misionit të ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri.
Në marrëveshje ishte vendosur që muxhahedinët iranianë do të strehohen në një kamp të posaçëm të ndërtuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Agjensinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).
Fillimisht, muxhahedinët u strehuan në dy zona të Kasharit.
Ata u panë të bashkuar për herë të parë në mars të vitit 2017, kur me një super organizim, në kushtet e sekretit total, tremijë anëtarë të opozitës iraniane MEK, festuan në Pallatin e Kongreseve në Tiranë vitin e ri Persian, i njohur ndryshe si Novruzi.
Për këtë organizim u angazhua vetë liderja e rezistencës iraniane, Maryam Rajavi, e cila jeton në Francë. Ajo qëndroi për disa ditë në Shqipëri, ku pati takime, jo vetëm me mbështetësit e saj, por edhe me disa politikanë shqiptarë.
Ndërsa në tetor 2017, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe lejen për ndërtimin e kampit të posaçëm, i cili ka nisur ndërtimin në Manzë të Durrësit dhe aktualisht ka filluar transferimi i muxhahedinëve pranë ambienteve të reja. Këtë kamp po e ndërton shoqata F.A.R.A.
Fiks Fare ju drejtua gjykatës së Tiranës për t’u intersuar lidhur me këtë shoqatë e cila rezulton të jetë e regjistruar me vendim gjykate, nr 5538, në datën 08.02.2017.
Çfarë janë muxhahedinët?
Muxhahedinët iraniane është një lëvizje opozitare në mërgim, që synon rrëzimin e republikës islamike të Iranit. Ajo njihet ndryshe me emrin MEK. Lëvizja u themelua në vitin 1965 nga një grup studentësh të majtë dhe qëllimi ishte të rrëzonin Shahun e Iranit. Kur Shahu u rrëzua, nisi një përplasje tjetër: mes muxhahedinëve dhe fondamentalistëve të Ajatollah Khomeinit që morën pushtetin.
Ne fund te vitit 1981 shume anëtare dhe mbështetës te saj u larguan jashtë vendit dhe qendra e tyre kryesore e strehimit u be Franca.
Ne vitin 1986 lëvizja e zhvendosi bazën e operacioneve ne lindje te Irakut, por situata ndryshoi me pushtimin amerikan te Irakut. Forcat amerikane sulmuan objektivat e tyre por arritën armëpushim dhe pas çarmatosjes, u vendos qe ata te mbaheshin ne kampin Ashraf, ish-baze ushtarake irakene.
Por me tërheqjen e amerikaneve nga Ashrafi ne 2011-en nisen aktet e dhunes mes tyre dhe ushtareve irakiane. Me pas atë vit ata u zhvendosen ne kampin Liria, jashtë Bagdadit. Për shkak te pasigurisë për jetën lindi edhe nevoja e zhvendosjes se tyre nga Iraku drejt vendeve te tjera, mes te cilave ishte edhe Shqipëria.
Dëshmia: MEK një organizatë me ushtarakë shumë të përgatitur për luftë
Emisioni Fiks Fare ka arritur të gjejë disa ish anëtarë të kësaj organizate, 3 prej 200 të larguarve nga MEK. Të tre të intervistuarit pohojnë se muxhahedinët e strehuar në kampin e Manzës, janë ushtarakë të përgatitur shumë mirë për luftë.
Sipas tyre, MEK ka kushte shumë të rënda, ku u ndalohet rreptësishtë komunikimi me familjet. Sot ata jetojnë në disa banesa që ua ka paguar UNCHR, por që shumë shpejt do mbeten në mes të 4 rrugëve, pasi nuk kanë asnjë dokument identifikimi, as status emigrant dhe as atë të emigrantit politik
Intervistë me Sadala Sefi, ish anëtar I MEK, larguar nga organizata 8 muaj më parë
Unë jam Sadala Sefi, kam lindur në Iran në vitin 1969 . Unë jam bërë pjesë e organizatës së muxhahedinëve në moshën 21 vjeçare.
Pse u bëtë pjesë e kësaj organizate?
Kur unë jetoja në Iran kishte shumë probleme në vend sidomos ekonomike. Për këtë arsye shkova në këtë organizatë për të sjellë një të ardhme më të mirë për njerëzit.
Si jeni njohur me këtë organizatë?
Ata kanë radio dhe bëjnë propagandë në Iran. Unë dëgjova në radio se ata kishin disa baza në vende të tjera si në Turqi dhe se ata po përgatiteshin për të luftuar në Iran. Unë u lidha me këtë bazë në Turqi dhe shkova atje.
Kur ju u bëtë pjesë e MEK, çfarë ndodhte aty brenda?
Në ditët e para kur unë isha atje, ata flisnin për njerëzit e lirë, për lirinë. Por më pas unë kuptova se gjithçka ishte gënjeshtër.
Pse mendoni se ishin gënjeshtra?
Sepse ata janë një organizatë e frikshme ata kanë shumë agjentë, të cilët të detyrojnë të bësh atë që ata duan. Dhe ti duhet të bësh atë që thonë ata. Unë shkova atje me vullnetin tim të lirë, por ata më detyruan të bëja atë që
Vazhdonit të merrnit mësime ideologjike dhe çfarë ju thuhej?
Po vazhdimisht bënim mësim ideologjik. Ju nuk duhet të ndërtoni familje. Ju nuk keni familje. Ju duhet të bëni atë që ju thotë liderja e organizatës.
Kur ju erdhët këtu në Tiranë, sa kohë qëndrove në organizatë dhe kur u largove?
Kam 8 muaj që jam këtu dhe që prej tre muajsh jam larguar nga organizata.
Pse vendosët të largoheni nga organizata?
Sepse ata na kanë thënë ne vetëm gënjeshtra dhe kur ishim në Irak unë nuk kisha mundësi të largohesha, aty ishte tamam si burg .
Manza është e ngjashme me ASHRAF?
Po nga ato që më kanë thënë të tjerët është si në ASHRAF. Kur unë erdha këtu mendova se këtu ishte liri dhe ndaj ika.
Me çfarë parash jeton këtu?
Gjatë këtyre tre muajëve disa miq më kanë ndihmuar të jetoj si dhe familja ime më ka dërguar para.
Miqtë e tu janë muxhahedinë?
Jo, edha ata janë larguar nga organizata.
Ju nuk merrni para?
Jo ata nuk më kanë dhënë asnjëherë, pasi më kanë akuzuar se unë kam pasur lidhje me të larguarit ndaj më kanë quajtur tradhtar.
Ku jetoni tani?
UNCHR më paguan shtëpinë ku jetoj dhe më jep një paketë ushqimesh në muaj. Këtu nuk ka asnjë të ardhme për ne çdo që është errësirë MEK , qeveria shqiptare , UNCHR dhe qeveria amerikane në bazë të një marrëveshjeje na sollën këtu ,por ne nuk kemi asnjë status. Nuk kemi leje qëndrimi, të drejtë punësimi. Kam shkuar këtu në shumë organizata të vendit tuaj, por askush s’më ka ndihmuar pasi më kanë thënë që ju nuk keni status këtu dhe ne nuk pranojmë refugjatë këtu. Unë nuk e di se çfarë mund të bëj këtu…
A ka shumë të larguar nga kjo organizatë?
Sa jam në dijeni unë, janë rreth 200 vetë që janë larguar. Nëse bëhesh pjesë e kësaj organizate ata krijojnë disa rregulla që t’i mbajnë njerëzi brenda. Këtu në Shqipëri rregullat ndryshojnë ata s’mund t’i mbajnë me forcë njerëzit siç bënin në Irak. Por kanë disa rregulla që ta bëjnë situatën e vështirë që njerëzit të mos largohen dot. Një është kjo situatë, që nëse largohesh ti nuk ke para për të jetuar, duke qenë se këtu nuk ke as status, nuk ke mundësi qe të punosh. Pra situata është e tillë që njerëzit e kanë të vështirë të ikin.
A keni frikë për të ardhmen, çfarë do të bëni këtu?Ju s’keni dokumente s’keni status?
Unë dua të iki nga ky vend, por nuk mundem nuk kam asnjë dokument për të ikur. Këtu nuk kam asnjë të ardhme. Qeveria juaj, Ministria e Brendshme nuk na jep asnjë mundësi që unë të rri këtu. Kur unë jam në rrugë, policët mund të më ndalojnë dhe të më pyesin kush je ti?Gjatë këtyre tre muajve jam munduar të marr lejen si një person rezident por qeveria juaj më thotë që kemi humbur letrat tuaja. Ndërsa vetëm pak ditë më parë më thanë ne po përgatisim letrat e tuaja si shtetas rezident,por asgjë s’kam marrë deri tani. Kërkesat tona janë të paktën, të na lënë familjet tona të vijnë këtu të na ndihmojnë.
Intervistë me HAsan Bidi, ish-anëtar I MEK
MEK i jepte informacion për Iranin qeverisë së Irakut dhe për qeverinë e Arabisë Saudite. Ata paguhen nga këta. Ata punojnë për Sadam Husenin dhe inteligjencën e Arabisë Saudite. Kishte luftë midis Iranit dhe Irakut .
Keni familje, grua, fëmijë?
Jo nuk kam . Nuk ka qenë zgjidhja ime, sepse kjo organizatë është si një sekt. Kur ti je pjesë viktimë e saj ti nuk mund të kesh grua, nuk mund të kesh fëmijë,ti duhet të jesh vetëm.
Pse e keni bërë këtë sakrificë?
Nuk ishte zgjidhja ime dhe nuk ishte sakrifica ime, sepse ata më detyruan me jetë a vdekje. Nëse unë doja të isha i gjallë duhet të lija gjithçka, nuk ishte zgjedhja ime. Gjatë gjithë këtyre 15 viteve unë isha viktimë nuk më lejuan të kisha kontakt me familjen time dhe t’i telefonoja ata. Çdo gjë ishte e ndaluar për ne.
Në cilën moshë jeni futur në këtë organizatë dhe pse u bëtë pjesë e saj?
Në moshën 24 vjeçare. Unë isha simpatizant i tyre prej shume kohësh në Iran. Kur unë e kuptova që ata po më gënjenin mua dhe se ishin terroriste, nuk doja më të kisha lidhje me ta. Kur unë ika dhe fillova të punoja si mekanik në një aktivitet privat ata më dërguan mua disa simpatizantë të cilët më thanë se qeveria po të kërkon ty, shumë nga miqtë e tu janë në burg. Ti duhet të ikësh nga ky vend shumë shpejt sepse qeveria iraniane do të vrasë ose do të burgosë . Unë ika,jo për veten por për familjen time dhe shkova në këtë organizatë. Pasi lashë Iranin shkova në Turqi. Nuk kisha pasaportë për të udhëtuar. Ajo organizatë m’i mori të gjitha dhe më dha një dokument fallco për të shkuar në Irak.
Cili ishte roli që ke pasur në këtë organizate?
Nuk ju kam dhënë asnjë lloj informacioni, pasi e kuptova që ata po më gënjenin. Nuk më gënjenin vetëm mua, por të gjithë i kanë gënjyer .Shumë prej njerëzve janë në Turqi. Ata erdhën dhe na thanë duhet të ktheheni në Irak dhe të qëndroni 3 muaj, e me pas ne do t’ju çojmë në çfarë vendi të dëshironin në Europë. Por çdo gjë ishte gënjeshtër pasi ju e shihni që të gjithë janë tani në Shqipëri. Nëse ti shkon tek ajo organizatë me këtë dokument, ti je si i burgosur sepse ti nuk ke asnjë zgjidhje tjetër, asnjë rrugë për t’i lënë.
Si funksionon kjo organizatë?
Ne kemi jetuar të armatosur. Të ndarë në grupe dhe në klasa ku merrnim leksione teorike ideologjike .Ata na mësonin ne se si të ishim më të mirë se qeveria Iraniane
Ju keni një leje drejtimi shqiptare, por nuk keni pasaporte?
Po, por është në proces. Në fillim do marr kartën e identitetit pastaj pasaportën. Kjo organizatë e ka bërë këtë vend për ne si një burg . Asnjë nuk na mbështet ne.
Çfarë bënit ju në praktikë, kush ju urdhëronte të bënit sulme?
Organizata. Ajo krijonte grupe speciale dhe i çonte ato në Iran për të vendosur bomba duke krijuar atake.
Në organizatë kam mësuar gjithçka për armët si dhe për të vrarë njerëzit. Shumë nga këta njerëz qe ju i shihni këtu nuk janë njerëz janë makina lufte.
Intervistë me MANUCER Habdi, i larguar nga MEK
Kur unë isha 42 vjeç u bëra pjesë e kësaj organizate dhe tani unë jam 55 vjeç . Pra kam qenë viktimë e kësaj organizate për 13 vjet rresht. Kur unë jetoja në vendin tim në Iran, kishte shumë probleme dhe situata nuk ishte shumë e mirë si ajo politike ashtu edhe ajo ekonomike. Unë kisha shumë ëndrra lidhur me lirinë e vendit tim ndaj dhe unë u bashkova në këtë organizatë, por më pas unë kuptova se kjo organizatë ishte një gënjeshtër e madhe. Ata na gënjenin, ata janë sekt ,unë nuk mund ta shihja më veten brenda saj.
Çfarë bëjë në kamp, ke mësuar të përdorësh armët, ke bërë stërvitje ushtarake?
Në fillim aty bënim punë të zakonshme ashtu siç bëjnë të gjithë njerëzit. Gjatë atyre viteve Irani kishte shumë probleme sidomos ekonomike. Ajo organizatë kishte shumë lobe dhe simpatizantë në Iran dhe ata i premtonin shumë të rinjve se nëse shkonin në Irak dhe bëheshin pjesë e saj do të përfitonin shumë para
Ishte e vështirë të largoheshe prej saj?
Po ishte shumë e vështirë. Sepse ne nuk kishim lidhje me jetën që bëhej jashtë saj. Nuk dinim asgjë se çfarë ndodhte. Ne nuk kishim as telefon as njohuri për internetin, pra asgjë nuk kishim lidhje as me familjen tonë. Unë erdha këtu më pas me këtë organizatë pasi kishte një marrëveshje midis saj e qeverisë shqiptare dhe qeverisë amerikane . UNHCR më solli mua këtu dhe tani prej 8 muajsh unë jam jashtë saj dhe jetoj vetë.
Pse vendose të largohesh pikërisht kur erdhe këtu?
Sepse kur unë isha në Irak, unë u përpoqa të lidhesha me vajzën time dhe ata nuk më lejuan mua. Kishte shumë familje që erdhën në ASHRAF për të takuar familjarët e tyre por kjo organizatë i detyroi ata të mos i takonin fëmijët e tyre dhe i sulmuan ata njerëz .
Kampi në Shqipëri është njësoj si në Irak ?
Ata po krijojnë diçka të ngjashme
Unë kërkova të shihja vajzën time, por ata kanë bërë një marrëveshje me qeverinë tuaj që të mos lejojnë familjet tona të vijnë të na shohin ne. Pra nëse je pjesë e kësaj organizate ti nuk mund të kesh asnjë lidhje me familjen është e ndaluar për ju.
Këtu disa grupe lidhen me njerëz , me të rinj në Iran nëpërmjet internetit , mediave sociale dhe i mësojnë ata si duhet të luftojnë si të vrasin të tjerët në Iran.
Kur unë isha pjesë e organizatës unë isha pjesë e një grupi që lidhej virtualisht me një grup të rinjsh në Iran dhe i mësonim si të luftonin. Sepse ju duhet ta dini që çdo kush në këtë organizatë di sesi të luftojë të vrasë pra jemi të përgatitur ushtarakisht, dimë gjithçka për armët. Ne mësojmë të rinjtë në Iran nëpërmjetë skype. Unë nuk kam marrë leksione lufte sepse përpara se të isha pjesë e organizatës kam qenë pjesë e ushtrisë iraniane.
Tani ju me çfarë të ardhurash jetoni, nuk keni një status këtu, nuk ju lejohet të punoni ?
Disa miq më ndihmojnë të cilët edhe ata kanë ikur nga kjo organizatë. Shumë prej atyre marrin para nga organizata . Unë jo sepse ata më kanë shpallur spiun të Iranit . Por të tjerët marrin para në bazë të një marrëveshje midis qeverise tuaj dhe organizatës çdokush që ikën nga organizata , kjo e fundit e paguan për të që ai të jetojë në Shqipëri. Marjam Raxhavi liderja e kësaj organizate jeton në Francë dhe shpesh vjen këtu dhe bën takime. Në një nga këto takime ajo ka thënë ata që i janë larguar organizatës në Shqipëri janë tradhtarë dhe duhet që ata t’i vrasim.
Çfarë bëni tani ?
Nuk mund të bëj asgjë , nuk kam pasaportë sepse kjo organizatë nuk e lejon të na i japë qeveria juaj, nuk kam asnjë status. Është tamam si një burg. Prej tre muaj jetoj në një apartament të paguar nga UNHCR. Prandaj erdha këtu të tregoj këtë situatë . Familja nuk mund të më dërgoj para sepse situata e tyre ekonomike e tyre s’është e mirë. Miqtë nuk kanë të më ndihmojnë . Ky nuk është vetëm problemi im. Pasi edhe personat që merrnin para tashmë i ka kontaktuar dhe ju ka thënë që nëse largoheni ju paguajmë tre muaj dhe më pas ju duhet të firmosni një dokument që duhet të na i ktheni paratë sërish dhe se nuk keni më nevojë për para. Ky është problemi i të gjithë të larguarve.
Pse jeni sot në Fiks Fare?
Ju e dini që çdo refugjat politik ka një status në çdo vend të botës, ne nuk e kemi. Ne jemi thjesht rezident që rrimë në Shqipëri pra pa status. Na kanë sjellë të gjithë këtu s’kemi asnjë dokument e as status. Unë kam vuajtur shumë kam qenë viktimë e kësaj organizate, tani që u largova a kam të drejtë unë si qënie njerëzore të jetoj si gjithë të tjerët. Nuk kam mundësi të punoj. Ky është problemi për të gjithë ne.
gazeta-Shqip.com