Në një konferencë me gazetarët shqiptarë, nga Vjena kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me marrjen e kryesimit të OSBE-së nga vendi ynë dhe sfida më të madhe që ka kjo organizatë, që është çështja e Ukrainës dhe tensioneve atje.
Rama tha se është një ngjarje fantastike marrja e kryesimit, duke sjellë në vëmendje kohën kur Shqipëria jo vetëm që nuk pranoi të jetë pjesë e saj, por e goditi pa mëshirë atë.
“Kjo është një arritje fantastike e Shqipërisë. Ka qenë jo vetëm vendi i vetëm që e refuzoi këtë organizatë, por e goditi pa mëshirë dhe ne sot jemi për të drejtuar OSBE. Natyrisht nuk jemi këtu për të rishpikur OSBE apo mekanizmat e saj, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon as mbaron me ne, por që vijon me konsensusin e 57 vendeve dhe më shumë se 1 miliardë njerëzve. Natyrisht që është shumë kompleks sepse duhet të biem dakort. Në vendet ku ka konflikte, janë edhe vende anëtare. Ne kemi bërë shumë punë për detyrat e shtëpisë. Edhe ministri në detyrë, edhe ambasadori si dhe skuadra e ngritur. Do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk pretendojmë të zgjidhim nyje që nuk janë zgjidhur me vite të tëra, por do të punojmë për përmirësimin e kushteve”.
Rama ka folur edhe për tensionet në rritje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ndërsa është pyetur nëse rrezikon Shqipëria apo nëse është marrë ndonjë masë shtesë për sigurinë kombëtare.
Kësaj pyetje në të cilën përfshihej edhe tema e muxhahedinëve të strehuar në vendin tonë, kryeministri i është përgjigjur duke thënë se jemi të sigurt në duart e inteligjencës së aleatëve.
Për çështjen e muxhahedinëve, Rama ka thënë se marrëveshja me SHBA parashikon që ky nuk është një vendim politik por humanitar, ndërsa shtoi se vendi ynë e ka jetuar diktaturën dhe e di se çdo të thotë veprimi i saj.
“Së pari kjo është një temë dhe një çështje që nuk është e re për ne në raport me Iranin. Ne kemi marrë një vendim që i bën nderë Shqipërisë që është në vazhdën e traditës dhe të aleancës së panegociueshme me SHBA për të mikpritur një grup njerëzish që janë në rrezik për jetën. Siç shkruhet edhe në marrëveshjen e bërë, ata janë në Shqipëri në bazë të një operacioni jo politik, por humanitar. Ne e kemi jetuar diktaturën dhe ne e dimë shumë mirë si veprojnë ato, dhe sa janë të gatshme për të asgjësuar çdo kundërshtar në gjithë globin. Ne kishim një popullsi shumë të vogël dhe resurse shumë minimale në raport me Iranin, dhe kishte një spiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë zonat dhe pikat ku kishte “armiq” të brendhëm të regjimit.
Nuk besoj se kjo e rrezikon në mënyrë të posaçme Shqipërinë. Ne jemi në kontakt permanent me aleatët ndërkombëtar dhe kur është puna të inteligjenca, besoj se ata janë të pakonkurueshëm botërisht dhe në këtë rast, ne jemi në duar të sigurta kur është fjala tek marrja e informacionit. Nuk besoj se jemi në pozita të kemi arsye objektive që të ketë një ekspozim të veçantë, por nga ana tjetër, jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces”.